Hoti: Profesionistët e rinj do ta rrisin cilësinë e punës së institucioneve

16 dhjetor 2020 | 14:39

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka marrë pjesë në ceremoninë e dhënies së aktemërimeve për bursistët nga Skema e Profesionistëve të rinj (YCS), projekt ky i financuar nga Bashkimi Evropian, të cilin e ka vlerësuar si një ngjarje të veçantë.

Hoti ka thënë se këta bursistë janë ndër vajzat dhe djemtë më të mirë, të cilët me arsimimin dhe profesionalizmin e tyre do të kontribuojnë në ngritjen e cilësisë së punës në institucione dhe në zhvillim të shoqërisë drejt proceseve integruese, raporton “Epoka e re”.

“E keni mbështetjen time të plotë, por edhe të ministrave dhe bartëseve të institucioneve ku ju do të angazhoheni, në mënyrë që t’u ofrohet hapësira e nevojshme që të jepni kontributin tuaj, dhe po ashtu mundësinë për avancim në karrierë mbi baza të profesionalizimit, meritës dhe kualitetit që ofroni”, ka thënë Hoti.

Më tutje, Hoti ka falënderuar Bashkimin Evropian për këtë projekt dhe ka theksuar se ajo mbetet organizata me ndikimin më të madh ekonomik, por edhe të reformave në Kosovë, duke shtuar se vendet e BE-së janë partneri kryesor tregtar.

“BE-ja është organizata ku ne kemi ambicie politike për t’u integruar, por edhe financuesi më i madh i mbështetjes që marrim për të ndërtuar institucionet tona”, është shprehur Hoti.

Në këtë ceremoni të pranishëm ishin edhe ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu dhe shefi i Zyrës së BE/Përfaqësuesi Special i BE-së, Tomas Szunyog.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komitetit i Gjilanit për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së…