Hoti: Qendra e vaksinimit në ‘Emshir’ nuk i plotëson kushtet, atje mund të merret virusi
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se krizën me pandeminë Covid-19 dhe krizën energjetike në Kosovë nuk i ka sjellë Qeveria Kurti.
Hoti në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka thënë se qeveria nuk i ka menaxhuar si duhet këto dy kriza.
“Edhe kjo pandemi dhe kriza pandemike që u diskutua para disa ditësh sigurisht që nuk i ka sjellë kjo Qeveri, por veprimet që i ndërmerr kjo Qeveri përcakton se sa të rralla do të jenë këto kriza për qytetarët. Edhe në shëndetin e qytetarëve, edhe në xhepat e mirëqenien e familjeve që mund të preken nga këto kriza”, ka thënë ai.
Sipas tij, situata me pandeminë vitin e kaluar ishte edhe më e rëndë.
“Reagimi edhe vitin e kaluar në pandemi e edhe tash duket ka qenë i vonuar. Vitin e kaluar situata ishte shumë më e rëndë sepse kishte shumë më tepër raste që bëheshin për spital”, ka thënë Hoti.
Më tutje, ai ka pasur kritika edhe për zhvendosjen e Qendrës së vaksinimit në QKMF-në në “Emshir”.
“Unë kam vërejtje edhe për mënyrën e vaksinimit për aq sa unë mund të vlerësojë sepse krejt ata njerëz që janë vaksinuar me dozën e parë, të dytën e tash edhe me të tretën, duhet të vaksinohen masivisht dhe ngushtimi i kapaciteteve siç është rasti i Prishtinës, zhvendosja e qendrës së vaksinimit në ‘Emshir’ në QKMF ku kushtet nuk janë adekuate dhe mund të imponojnë marrjen e virusit brenda aty është shqetësuese”, ka thënë ai.