Hoti: Qeveria e ardhshme duhet të kthejë fokusin tek marrëveshja e Uashingtonit

08 nëntor 2024 | 14:04

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Qeveria e re e Kosovës duhet të kthejë fokusin tek marrëveshja e Uashngtonit.

Hoti ka shkruar në “Facebook” se nisja e projekteve infrastrukturore është në interesin e Kosovës dhe qeveria e re duhet të nis menjëherë përgatitjen e planeve zbatuese dhe të sigurojë financimin bazë, për t’u futur më tej në negociata me partnerët strategjik për zbatim e financim të plotë të projekteve.

Hoti ka thënë se me krizën energjetike që po mbretëron, projekti i gazit ka marrë përmasa të sigurisë kombëtare.

Postimi i plotë:

Qeveria e ardhshme duhet të kthejë fokusin tek marrëveshja e Uashingtonit

Besoj shumë se qeveria e ardhshme e Kosovës duhet ta kthejë fokusin tek zbatimi i projekteve të parapara në Marrëveshjen e Uashingtonit të 4 shtatorit 2020.

Nisja e projekteve të mëdha infrastrukturore është interes strategjik i Kosovës. Qeveria e re duhet menjëherë të nis përgatitjen e planeve zbatuese dhe të sigurojë financimin bazë, për të hyrë më tutje në negociata me partnerët strategjik të Kosovës për zbatim dhe financim të plotë të projekteve.

Pas krizës energjetike, projekti i gazit ka marrë dimensione të sigurisë kombëtare. Në anën tjetër, hekurudha për Durrës e bën Prishtinën nyje të dy porteve detare, të Selanikut dhe Durrësit, dhe portë hyrëse infrastrukturore për më tutje në Ballkan dhe Evropën Qendrore.

Katër vite kanë humbur. Qindra miliona euro investime nuk kanë ndodhur e mijëra vende pune nuk janë krijuar. Kjo duhet të ndryshojë.

Projektet infrastrukturore të Marrëveshjes së Uashingtonit i tejkalojnë dimensionet ekonomike – ato janë çështje e sigurisë kombëtare dhe qëndrueshmërisë ekonomike afatgjate të Republikës së Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lufta në Ukrainë mund të përfundojë lehtësisht nëse administrata e…