Hoti: Qeveria e ardhshme e Kosovës duhet ta marrë seriozisht Marrëveshjen e Uashingtonit

08 dhjetor 2024 | 10:59

Zbatimi i Marrëveshjes së Uashingtonit do të krijonte klimë më të mirë ekonomike për Kosovën, më pas edhe politike, duke çuar drejt marrëveshjes përfundimtare me njohje reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë, thotë ish-kryeministri Avdullah Hoti.

Në një intervistë për KosovaPress, ai thotë se qeveria që do të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit duhet ta marrë seriozisht këtë dokument.

Ajo që njihet si Marrëveshja e Uashingtonit është një dakordim për normalizim ekonomik në mes të Kosovës dhe Serbisë – arritur në Shtëpinë e Bardhë në shtator të vitit 2020 nën presidencën e atëhershme të Donald Trump.

Nuk dihet nëse kjo çështje do të marrë sërish vëmendjen e administratës amerikane pasi Trump të betohet si president i ri i Shteteve të Bashkuara në fillim të vitit të ardhshëm.

Por Avdullah Hoti, i cili atëbotë e nënshkroi marrëveshjen si shef i ekzekutivit kosovar, thotë se qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të punojë për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

“Më vjen keq që [Marrëveshja e Uashingtonit] nuk është zbatuar gjatë kësaj periudhe, gjatë këtyre katër viteve. Jam i bindur që sikur ajo marrëveshje të zbatohej sot do të kishim kontekst krejt tjetër ekonomik dhe politik në vend. Është keq që Qeveria e Kosovës abstenoi nga zbatimi i asaj marrëveshje, sepse administrata e re amerikane në vitin 2021 e konfirmoi gatishmërinë e saj për zbatimin e asaj marrëveshjeje. Unë pres që Qeveria e ardhshme ta marrë këtë çështje seriozisht dhe të angazhohet në projekte që parashihen në kuadër të marrëveshjes. Jam i bindur që ajo marrëveshje krijon një klimë më të mirë ekonomike e mandej edhe politike për të çuar drejt marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke, por ajo që është e rëndësishme është ndikimi i kësaj marrëveshje për zhvillimin ekonomik të Kosovës”, thotë Hoti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Zvicra është një pikëtakim…