Hoti: Qeveria për tri vite menaxhoi mbi tetë miliardë euro, asnjë projekt madhor
Ish-kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, ka adresuar një varg kritikash për qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti.
Hoti tha se për tri vite janë menaxhuar 8.63 miliardë euro, por nga këto nuk është realizuar asnjë projekt madhor.
“Nuk ka asnjë projekt madhor që mund të shihet dhe të shfrytëzohet nga qytetarët dhe bizneset. Nuk ka asnjë projekt madhor që së paku ka nisur të realizohet”, tha Hoti.
Ai tha se grantet e ndara për komuna iu kanë takuar vetëm atyre që iu takojnë VV-së.
“Grantet e ndara për komuna bëhen sipas formulës së ligjit të buxhetit. Problemi tek buxheti i komunave lidhet me shpërndarjen e projekteve të ministrive nëpër komuna. Përvoja në këto tri vite të qeverisjes së koalicionit VV-Guxo nuk është e mirë. Vitin e kaluar, gjysma e projekteve të reja të futura në buxhet kanë shkuar vetëm për komuna që ‘rastësisë’ të qeverisen nga VV-Guxo”, theksoi ai.
Deputeti i LDK-së shtoi se problemi madhor i buxhetit në këto tri vite është përkeqësimi i strukturës së buxhetit.
“Investimet kapitale kanë rënë në nivele shumë të ulëta, si në planifikim, ashtu edhe në realizim. E në anën tjetër, buxheti për skema sociale po rritet vazhdimisht, që është e pakuptimtë nëse thuhet se ka pasur rritje të lartë ekonomike. Rritja ekonomike duhet të zvogëlojë numrin e familjeve dhe personave në nevojë, dhe rrjedhimisht duhet të ulen shpenzimet për skema sociale”, ka thënë deputeti i Lidhjes Demokratike, Avdullah Hoti.