Hoti: Qeveritarët e sotëm kundërshtonin pagesat për energjinë në veri, tash paguajnë shumëfish më shumë
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se nga raportimi i KOSTT-it të mërkurën në Komisionin për Buxhet, 113 milionë euro janë paguar për energjinë në veri për vitet 2021 dhe 2022.
Sipas tij, këto mjete janë paguar nga buxheti i shtetit dhe nga dividenta e KOSTT-it për qeverinë.
“Sivjet, deri në shtator, borxhi është rreth 25 milionë. Anomalia qëndron edhe në faktin se në vitin 2021, pagesa u bë me vendim të Kuvendit. Ndërkaq, në vitin 2022 u anashkalua Kuvendi dhe pagesa u krye me vendime tjera”, ka thënë Hoti.
Ai ka theksuar se qeveritarët e sotëm nuk kanë lënë gjë pa bërë kundër qeverive të kaluara kur ato detyroheshin të bënin pagesat për energjinë në veri.
“Tani paguajnë shumëfish më shumë dhe nuk i shihet fundi si do të mbyllet kjo çështje”, ka deklaruar Hoti.