Hoti: Qytetarët duan transparencë për dialogun me Serbinë
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se qytetarët e vendit duan transparencë në raport me procesin e dialogut me Serbinë.
Ai ka thënë se Kosova nuk mund të manovrojë me procesin e dialogut.
“Qytetarët e Kosovës duan transparencë lidhur me dialogun me Serbinë, që është sugjerim edhe i dy ambasadorëve të ShBA-së, në Prishtinë e Beograd. Është e pa pranueshme që të ambalazhohet dialogu me Serbinë me gjysmë të njohura dhe dykuptimësi. Kjo qasje e Presidentit u pa edhe sot në konferencën për medie. Ne nuk mund të ‘manovrojmë’ me procesin e dialogut. Ne duhet të jemi të qartë me qytetarët e Kosovës dhe aleatët tanë për pozicionin tonë në dialogun me Serbinë”.
“E para, Kosova duhet të dialogojë dhe do të dialogojë, sepse nuk ka alternativë tjetër. Gjuha që nxitë konflikte duhet të hiqet nga diskursi jonë. E dyta, Kosova tokë me nda nuk ka, Kosova nuk e rishikon shtetësinë e vetë dhe Kosova nuk e defunksionalizon shtetin e vetë me aranzhime të brendshme në baza etnike”, ka shkruar Hoti në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/