Hoti, qytetarëve: Qëndroni në shtëpi, përveç kur është e domosdoshme të dilni
Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Avdullah Hoti, në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar rreth gjendjes së koronavirusit dhe situatës politike në vend.
Hoti ka thënë se në kohën kur kemi drojë për shëndetin e familjarëve, miqve dhe gjithë të tjerëve, mund ta kalojmë me solidaritet dhe lutje tek Zoti.
Postimi i plotë i Hotit:
Në këtë situatë, kur kemi drojë për shëndetin e familjarëve, miqve dhe gjithë të tjerëve, e kalojmë me solidaritet dhe lutje tek Zoti.
Nuk dua t’iu ngarkoj me zhvillimet politike. Por, ju garantoj se kjo qeveri me LDK-në brenda saj, për aq kohë sa do të zgjasë, do jetë në krye të detyrës për tu përballur me situatën. Asnjë detyrë shtetërore-institucionale nuk do të ndikohet nga zhvillimet politike.
Liderët botërorë, si Merkel e Trump, kanë dhënë mesazhe alarmante, jo për panik, por për vetëdijesim, duke ju treguar qytetarëve të vërtetën për rrezikun që ata të respektojnë udhëzimet shëndetësore. Ky ka qenë qëllimi i mesazheve të secilit nga ne, edhe i z.Veliu. Ky është edhe mesazhi im sot, gjendja mund të bëhet alarmante.
Do të jemi në kontakt tërë kohën për të ndarë barrën me secilën familje. Qëndroni në shtëpi, përveç kur është e domosdoshme të dilni. Kur të ktheheni, dezinfektoni rrobat dhe gjërat që sillni në shtëpi.
Rrugë tjetër nuk ka për të kaluar këtë pandemi.
Të lutemi së bashku që ta kalojmë këtë situatë sa më parë dhe të shihemi në punë e në ballafaqime tona të zakonshme, që janë pjesë e jetës normale dhe zhvillimeve demokratike.