Andin Hoti ragon pas raportimeve se u largua nga PDK-ja
Kryetari i delegacionit të Kosovës për bisedime për çështje e personave të zhdukur, Andin Hoti ka reaguar pas raportimeve në disa media se ai është larguar nga Partia Demokratike e Kosovës.
Hoti i ka quajtur të papranueshme dhe të dëmshme për misionin e tij konfuzionin e shkaktuar ditëve të fundit.
“Që nga marrja e detyrës e kam bërë të qartë dhe po e përsëris prapë sot: Askush dhe me Asgjë nuk do të mund të më ndalë në angazhimin tim për t’i gjetur më të dashurit tanë; babin dhe 1631 të zhdukurit e tjerë me forcë gjatë luftës. Nuk do të heq dorë për asnjë çmim dhe nuk brengosem për qëndrimet apo opinionet politike të askujt”, ka shkruar Hoti në llogarinë e vet në “Facebook”.
Tutje, ai shtoi se reagimet politike dhe fushatat e nxitura kanë pasoja serioze.
“Konfuzioni i shkaktuar ditëve të fundit nga tendencat dhe sulmet e orkestruara që kulmuan mbrëmë me lajmin e “bujshëm” për gjoja largimin tim nga Partia Demokratike e Kosovës, është jo vetëm trazues dhe i papranueshëm, por edhe i dëmshëm për misionin tim human në krye të Komisionit për zbardhjen e fatit të familjarëve tanë që ende na mungojnë. Reagimet politike dhe fushatat e nxitura inatçore duke shtrembëruar të vërtetën, kanë pasoja më serioze se sa dëmtimin tim personal apo kalkulimin e interesave elektorale në prag të fushatës”, ka shkruar Hoti.
Hoti thotë se sulmet e tilla nuk i bëjnë nder askujt.
“Mirëpo, sulmet e tilla politike dhe qasja joetike e disa medieve me fotografi montazh, nuk i bëjnë nder askujt dhe përtej dëmit personal në këtë rast, po vazhdojnë ta helmojnë në përmasa shqetësuese opinionin publik”, thotë Hoti.
“Duke marrë shkas nga sulmet e ulëta dhe fushata e nxitur denigruese e linçuese, e vlerësova të nevojshme që t’iu drejtohem edhe një herë: E para, për t’i falënderuar të gjithë ata që përmes reagimeve publike i kanë dhënë përgjigjen më të mirë këtyre tendencave, dhe; E dyta, për të shprehur indinjatën e thellë ndaj honxhobonxhëve e shpirtprishurve që u munduan të hedhin baltë mbi ADN-në time, luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar Hoti.
Hoti tha se “Duke i mirëkuptuar të gjithë ata që në mënyrë të pavetëdijshme më kanë atakuar, fushatat e tilla propagandistike, në vend të bashkëpunimit për të cilin jam angazhuar dhe insistoj me këmbëngulje, vetëm sa do ta vazhdojnë agoninë e familjeve që prej më shumë se dy dekadash presin në ankth të vërtetën për fatin e më të dashurve të tyre”.