
Hoti raporton në Kuvend për 100-ditëshin e qeverisë: Kosova s’ka qenë më mirë në politikën e jashtme
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, është duke raportuar para deputetëve në Kuvend për 100-ditëshin e qeverisë që drejtohet nga ai.
Me këtë rast, Hoti ka thënë se gjatë qeverisjes së tij, është arritur rivendosja e marrëdhënieve me shtetet mike që ishin lënduar nga qeveritë paraprake.
“Kemi vendosur miqësi të ndërtuara me dekada, të cilat ishin dëmtuar”, ka thënë Hoti.
Më tutje, ai ka thënë se prioriteti kryesor gjatë kësaj periudhe, ka qenë lufta kundër pandemisë.
“Për këtë pandemi jemi sharë shumë edhe në këtë Kuvend, por sot jemi bërë shembull në rajon dhe më gjerë se si menaxhohet kjo situatë. Kosova është hequr nga lista e vendeve të rrezikshme dhe ata persona që kanë shtrembëruar të dhënat e numrit të infektuarve për ta nxjerrë vendin e tyre keq, sot duhet të turpërohen”, ka thënë Hoti, derisa ky moment është përcjellë me të qeshura nga deputetët e opozitës që ishin të pranishëm në sallën e Kuvendit.
“Gjatë kësaj periudhe ne kemi ndarë fatin me gjithë botën në përballje me pandeminë. Me këtë rast, falënderoj të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në këtë sfidë, stafin mjekësor, stafin mbështetës për angazhimin disa mujor”
“Falënderoj stafin policor, zyrtar të nivelit qendror e lokal, të bizneseve publike e private. Në këto 100 ditë të qeverisjes vlerësoj që kemi punuar shumë në parimet kryesore, në mbrojtjen e lirisë qytetare, të rendit demokratik dhe lirisë së shprehur”, ka thënë Hoti.