Hoti reagon për raportimin me dyer të mbyllura të ZRrE-së
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar pas lajmit se raportimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) në Komisionin për Ekonomi do të bëhet me dyer të mbyllura për mediat.
Përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, Hoti ka pyetur se pse po ndodh kjo dhe pse publiku duhet të privohet nga informatat për veprimet e ZRrE-së në përballje me krizën energjetike.
“Përse raporti i ZRrE-së në Komisionin për Ekonomi duhet të jetë me dyer të mbyllura?! Pse publiku duhet privohet nga informatat për veprimet e ZRRE-së në përballje me krizën energjetike?! Çfarë sekreti shtetëror janë vendimet e ZRrE-së për tarifat energjetike?! Kjo praktikë e raportimeve me dyer të mbyllura është e re dhe duhet të ndalet. Publiku ka të drejtë të informohet plotësisht. ZRrE-ja nuk është AKI, e as polici apo FSK, të cilat sipas ligjit duhet të klasifikojnë informatat”, ka shkruar Hoti.