Hoti reagon për zhvendosjen e Presidencës në objektin e MKRS-së
Zyrtari i lartë i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka reaguar në lidhje me zhvendosjen e Presidencës së Kosovës në objektin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministrisë së Bujqësisë.
Ai ka thënë se njëherë duhet të bëhet zgjidhje për vendosjen e qindra punëtorëve të këtyre dy ministrive në një objekt publik ku nuk paguhet qira.
“Zhvendosja e Presidencës në zyrat e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministrisë së Bujqësisë, pa u bërë zgjidhje për vendosjen e qindra punëtorëve të këtyre dy Ministrive në një objekt publik ku nuk paguhet qira, nënkupton rritje të shpenzimeve qeveritare për qira. Është e natyrshme që Presidenca të jetë e vendosur në një objekt më reprezentativ dhe më të përshtatshëm, siç është objekti i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministrisë së Bujqësisë”, ka shkruar Hoti në llogarinë e vet në “Facebook”.
“Por, kjo duhet të ndodhë krahas ndërtimit të objektit ose gjetjes të zgjidhjes për akomodim të dy Ministrive. Përndryshe, do të rriten shpenzimet për qira për qindra mijëra euro në vit, të cilat edhe tash janë të larta. Nuk mund të rritet komoditeti i zyrtarëve publik në kurriz të shpenzimeve publike, me gjithë respektin për institucionin më të lartë të shtetit që është Presidenca”, ka shkruar Hoti.
/Epoka e re/