Hoti rrëfen se si garuesi Besim Mulliqi humbi jetën para disa vitesh pas kërcimit nga Ura e Mostarit
Në Gjakovë, të dielën u mbajt gara e kërcimeve nga Ura e Fshejtë, garë kjo tashmë tradicionale për këtë komunë që organizoi edicionin e 73-të të saj. Adrenalina e madhe është ajo me të cilën karakterizohet kjo garë, por edhe rreziku i pjesëmarrjes në të është mjaftë i madh.
Në mesin e tre anëtarëve të jurisë që vlerësonin garuesit, ishte edhe ish-garuesi dhe kërcimtari nga Ura e Fshejtë, Sokol Hoti i cili ishte kampion i kësaj gare, por edhe nën-kampion i kërcimeve nga Ura e Monstarit në Bosnjë e Hercegovinë. Por, pikërisht nga ura e Mostarit, Hoti ka kujtime të hidhura pasi në vitin 1988 aty humbi jetën shoku i tij i ngushtë Besim Mulliqi pas kërcimit nga 30 metra lartësi.
“Kam qenë kampion këtu nga Ura e Fshejtë dhe nga Ura e Mostarit nënkampion. Në vitin 1987 kamë kërcyer dhe në vitin 1988. Në 88-tën kemi pasur një fatkeqësi, shoku im i ngushtë Besim Mulliqi që u flijua për garë të Kosovës sepse ishim vetëm tre veta shqiptar, me kërcimin e tij fenomenal e theu kurrizin nga Ura e Mostarit dhe pas një jave vdiq. Aty më ka mbetur trauma prej vitit 1988 sepse ka qenë kampion dhe kërcimtar i mirë dhe i shkëlqyeshëm”, ka thënë Hoti. Ai tregon për “KosovaPress” se deri tek ngjarja tragjike erdhi për shkak të lartësisë së madhe dhe shtypjes së lartë të ujit që i shkaktoi pëlcitjen e kurrizit Besim Mulliqit.
“Besimi 20 vjeçar ka qenë. Kjo ka mundur të më ndodh edhe mua, çdokujt mund t’i ndodhte sepse me të vërtetë është sport shumë i rrezikshëm, koncentrimi, por hyrja në ujë kur është bërë, lartësia e madhe 30 metra nga Ura e Mostarit, këtu në qafë nga shtypja e ujit i ka pëlcit kurrizi. Menjëherë nuk ka mundur t’i lëvizë as këmbët e as duart. Por çfarë më ka mbetur në mendje, kur e kanë nxjerrë nga uji në Monstar, zhytësit nuk e kanë nxjerrë siç duhet, aty e kanë lënduar edhe më shumë. Shumë goditje e thellë, e dhimbshme për ne dhe familjen e tij”, ka shtuar Hoti. Hoti shton se frika se diçka e tillë mund të ndodh edhe në kërcimet nga Ura e Fshejtë i përcjellë nga vitit në vit kur nisin përgatitet për organizimin e kësaj gare.