Hoti: Sakrifica e familjes Jashari e përmasave historike
Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, shoqëruar nga disa prej ministrave, bëri homazhe në Kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Pas homazheve, kryeministri në detyrë Hoti u shpreh se sakrifica e familjes Jashari tejkalon çfarëdo lloj sakrifice që mund të bëj dikush për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
“Bashkë me anëtarët e kabinetit në kuadër të shënimit të Epopesë së UÇK-së jemi këtu për të treguar respektin tonë, të qeverisë, të gjithë qytetarëve të Kosovës, të popullit shqiptar për sakrificën e jashtëzakonshme të kësaj familje që është e përmasave historike dhe jam i bindur që tejkalon çfarëdolloj sakrifice që mund të bëj dikush për lirinë dhe pavarësinë e vendit”, deklaroi Hoti.
Përpos kryeministrit në detyrë Hoti, të pranishëm në homazhe ishin edhe ministrat në detyrë Arban Abrashi, ai i Mbrojtjes, Anton Quni, i Bujqësisë, Besian Mustafa si dhe ministra në detyrë e Kulturës, Vlora Dumoshi si dhe kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari.