Hoti: Samiti i Sofjes, shans i BE-së për Ballkanin Perëndimor

18 maj 2018 | 13:52

Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Afrim Hoti, ka thënë të enjten se Samiti i Sofjes është një shans dhe një përkushtim i Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se për Kosovën është sukses pjesëmarrja në këtë samit dhe trajtimi i barabartë me vendet e tjera.

“Kjo bëhet edhe më e rëndësishme për faktin se kemi një garë në mes të BE-së, Rusisë dhe Turqisë për ta shtrirë ndikimin në Ballkanin Perëndimor dhe, si duket, BE-ja e ka marrë shumë seriozisht këtë sinjal dhe përmes këtij samiti u jep prioritet detyrave dhe kushteve që duhet t’i plotësojnë vendet e Ballkanit që eventualisht të marrë vendime në samitin e qershorit që pritet të mbahet në Bruksel”, ka deklaruar ai.

Sipas Hotit, Kosova është faktor dhe nuk mund të flitet për Ballkanin Perëndimor pa Kosovën, madje edhe në raste kur disa vende hezitojnë. “Mendoj se është gjetur një gjuhë e përbashkët, një gjuhë neutrale, sepse deklarata që është nxjerr nga Samiti i Sofjes nuk u atribuohet vendeve, por partnerëve dhe në këtë dritë, si duket, ka qenë edhe një lloj kompromisi që vendet që nuk e kanë njohur Kosovën ta pranojnë lëshimin e deklaratës për të mos i përmendur asnjëherë atributet që janë karakteristika vetëm për shtetet”, ka theksuar Hoti.

Ai ka thënë se, pavarësisht prej problemeve të brendshme, BE-ja nuk e ka anashkaluar Kosovën.

Hoti ka shtuar se Kosova ka bërë një hap drejt BE-së, por i mbetet edhe shumë për t’u bërë në këtë rrugëtim.

“Para Kosovës dhe liderëve të saj mbesin edhe 700 punë për t’u kryer sepse vetëm me formalitete nuk mund të shkojmë në BE. BE-ja nënkupton plotësim të kushteve të funksionalizimit të shtetit ligjor, luftën e pakompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërtimin e një sistemi gjyqësor efektiv dhe reformën në administratën publike”, është shprehur Hoti.

“Epoka e re”: Profesor, si e vlerësoni mbajtjen e Samitit të Sofjes ku kanë marrë pjesë liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të atyre të Bashkimit Evropian?
Hoti: Samiti i Sofjes është një shans dhe një përkushtim i Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky është samiti më i rëndësishëm pas Samitit të Selanikut të vitit 2003 që konsiderohet se është hapi më i fuqishëm dhe ngjarja më e rëndësishme që lidhet me këtë pjesë të Evropës. Kjo bëhet edhe më e rëndësishme për faktin se kemi një garë në mes të BE-së, Rusisë dhe Turqisë për ta shtrirë ndikimin në Ballkanin Perëndimor dhe, si duket, BE-ja e ka marrë shumë seriozisht këtë sinjal dhe përmes këtij samiti u jep prioritet detyrave dhe kushteve që duhet t’i plotësojnë vendet e Ballkanit që eventualisht të marrë vendime në samitin e qershorit që pritet të mbahet në Bruksel.

 “Epoka e re”: Cila është rëndësia kryesore e këtij samiti për Kosovën në veçanti dhe për vendet e tjera në përgjithësi të Ballkanit Perëndimor?
Hoti: Për Kosovën, pa asnjë dilemë, flasim për normalizimin e raporteve me Serbinë, sepse të dy vendet sa më shumë që i ofrohen portës hyrëse në BE duhet të marrin vendime konkrete dhe të dëshmojnë stabilitet e paqe. Përndryshe, me trendin e tanishëm të konfliktit nuk do të ketë BE as për Kosovën e as për Serbinë. Në kontekstin rajonal mendoj se rëndësia e samitit lidhet me rekomandimet që jep BE-ja për ta luftuar krimin dhe korrupsionin në Shqipëri, eventualisht në qershor të miratohet vendimi për fillimin e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë. Maqedonia do ta ketë çështjen e emrit dhe këtu BE-ja e ka bërë të qartë për faktin se tani flitet se cili do të jetë emri i Maqedonisë. Një vëmendje e posaçme do t’i kushtohet edhe konsolidimit të qeverisjes së brendshme në Bosnje Hercegovinë. Këto janë disa nga pikat kyçe të vendeve, por për Kosovën është normalizimi i raporteve me Serbinë. Ky nuk është fundi i stories sepse, përveç aspektit të jashtëm, do të kemi edhe probleme të tjera të brendshme siç është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, funksionalizimi i Gjykatës Speciale, themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, reforma në administratën publike dhe çështje të tjera të cilat, nëse jo në samitin e Brukselit, do të jenë çështje shumë të nxehta që do të diskutohen në të ardhmen e afërt për Kosovën.

 “Epoka e re”: Në këtë samit Kosova në njëfarë mënyre u trajtua si të gjitha vendet e tjera.
Hoti: Deshën apo nuk deshën, u pëlqeu apo jo të tjerëve, Kosova është faktor dhe nuk mund të flitet për Ballkanin Perëndimor pa Kosovën, madje edhe në raste kur disa vende hezitojnë. Mendoj se është gjetur një gjuhë e përbashkët, një gjuhë neutrale, sepse deklarata që është nxjerr nga Samiti i Sofjes nuk u atribuohet vendeve, por partnerëve dhe në këtë dritë, si duket, ka qenë edhe një lloj kompromisi që vendet të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, ta pranojnë lëshimin e deklaratës për të mos i përmendur asnjëherë atributet që janë karakteristika vetëm për shtetet. Sido që të jetë, mendoj se për Kosovën është sukses pjesëmarrja në këtë samit dhe dua të besoj se ky sukses do të vazhdojë të trajtohet krejt në mënyrë të barabartë edhe në të ardhmen.

 “Epoka e re”: Si e komentoni mospjesëmarrjen e kryeministrit të Spanjës në këtë samit për shkak të Kosovës?
Hoti: Kjo çështje fund e krye lidhet me zhvillimet e brendshme në Spanjë dhe ndjeshmërinë që samiti e pjesëmarrja e Kosovës kanë në kontekstin e brendshëm spanjoll që lidhet me rastin e Katalonisë. Kryeministri spanjoll i është bashkuar kampit evropian të shteteve në pjesën e parë, por nuk ka marrë pjesë në seancën formale, duke u përfaqësuar kështu në nivel më të ulët nga ambasadori. Kjo nuk lidhet shumë me Kosovën sa lidhet me zhvillimet e brendshme në Spanjë. Kjo problematikë do të shkrihet me ecjen e mëtejme të Serbisë dhe të Kosovës kah BE-ja, me theks të posaçëm pas nënshkrimit të traktatit me dispozita obliguese, dispozita këto që do ta qartësojnë pozitën e Kosovës dhe të Serbisë. Ky qartësim në mes të dy vendeve do të jetë relaksim edhe për Spanjën dhe vendet e tjera që aktualisht hezitojnë ta njohin Kosovën.

 “Epoka e re”: Zhvillimet e fundit janë një shpresë se Kosova është duke avancuar drejt BE-së dhe kjo e fundit nuk po e anashkalon?
Hoti: Në konturat e përgjithshme ky është kthim i vëmendjes së BE-së nga Ballkani Perëndimor dhe nuk mund të flitet për Ballkanin pa qenë pjesë edhe Kosova. Shpresat janë të mëdha dhe optimizmi është i madh për faktin se është bërë me dije se nuk ka BE për Kosovën dhe Serbinë pa i rregulluar raportet në mes vete. Këto raporte mendoj se do të rregullohen kur të nënshkruhet traktati me natyrë obliguese për të dyja vendet. Kjo praktikë në të drejtën ndërkombëtare njihet si mënyrë e përfundimit të konfliktit dhe, sipas një rrjedhoje normale, është dashur të ndodhë në vitin 1999, por meqë atëherë nuk ka ndodhur, të paktën nënshkrimi i këtij traktati do ta shënojë fundin formal të konfliktit Serbi – Kosovë dhe njohjen reciproke të të dyja vendeve. Kosova nuk e ka kryer punën, ka bërë vetëm një hap drejt BE-së. Është mirë që BE-ja, pavarësisht prej problemeve të vetat të brendshme, nuk na ka anashkaluar, por e ka trajtuar Kosovën sikurse vendet e tjera. Para Kosovës dhe liderëve të saj mbesin edhe 700 punë për t’u kryer, sepse vetëm me formalitete nuk mund të shkojmë në BE. BE-ja nënkupton plotësim të kushteve të funksionalizimit të shtetit ligjor, luftën e pakompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërtimin e një sistemi gjyqësor efektiv, reformën në administratën publike, vlera këto të cilat do të jenë në majë të agjendës në samitet e radhës apo evenimentet e tjera, pa të cilat Kosova nuk mund të ecë përpara dhe që janë detyrë imediate e institucioneve të vendit tonë.

Shqipe HETEMI

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-sulmuesi i Liverpoolit, Real Madridit dhe Kombëtares së Anglisë, Michael…