Hoti: Serbia ka shtuar paragrafë në dokumentin për të pagjeturit, s’besoj se do ta nënshkruajë Kurti
Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, ka deklaruar se Serbia ka shtuar disa paragrafë në dokumentin për të pagjeturit, i cili pretendohet të nënshkruhet nga palët në kuadër të dialogut të Brukselit.
Hoti ka thënë se ky draft është i papranueshëm, ku sipas tij Serbia po shton paragrafë të rinj me qëllim që të prolongojë këtë proces.
Muajin e kaluar, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka bërë me dije se nga i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e ka pranuar një draft të dokumentit, i cili synohet të nënshkruhet për çështjen e të pagjeturve.
Bislimi kishte deklaruar se dokumenti, për të cilin thuhej se mund të nënshkruhej gjatë muajit janar në Bruksel, nëse do të ketë takim të nivelit të lartë, do të shqyrtohet fillimisht nga Andin Hoti.
Lidhur me këtë, Hoti ka thënë se sa herë afrohet mundësia për nënshkrimin e një dokumenti për të pagjeturit, Serbia vendosë kërkesa të reja që janë të paarsyeshme.
Sipas tij, një dokument i tillë, me kërkesat e reja të Serbisë, e largon fokusin prej personave të zhdukur me forcë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Drafti i dhjetorit që unë e kam parë, kanë shti një apo dy paragrafë të tjerë Serbia, e thash vetëm me prolongu këtë proces, që ka qenë shumë afër nënshkrimit, edhe pse e kanë lënë tash këtë problemin madhor që e kanë pasur ‘persona të zhdukur me forcë’, ai është aty, tashmë ekziston aty, nuk merren me të por i kanë shtuar disa kërkesa të reja të panevojshme, të paarsyeshme, të pakuptueshme për një deklaratë të tillë dhe unë natyrisht nuk i pranojë të tilla dhe besoj që nëse largohen ato uroj të nënshkruhet. Nuk e di nëse do të nënshkruhet… (Paragrafët) janë të panevojshëm, janë jashtë realitetit me atë çka ka ndodhur në Kosovë, nuk preket realiteti në Kosovë dhe janë të paarsyeshëm që do të na fuste më një rrugë tjetër që e largon fokusin prej personave të zhdukur me forcë të luftës së fundit në Kosovë”, ka thënë Hoti për “Kosovapress”.
Hoti ka thënë se Kosova është e gatshme të nënshkruaj dokumentin por pa kërkesat e reja të Serbisë.
Ai ka thënë se kanë hartuar opinionin të cilin pret që ta shqyrtojë Lajçaku apo të diskutohet në takimin e radhës në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
“Nuk e di nëse do të nënshkruhet tani, pas asaj të gushtit Serbia për me prolongu këtë proces, me prolongu këtë deklaratë, ka shtuar kërkesa të reja, paragrafë të rinj, që për ne janë të papranueshëm. Unë në diskutim me zotin Bislimi, e kemi hartuar opinionin tonë që kërkesat e reja që kanë dalë pas asaj janë komplet të panevojshme dhe besoj që ato do të shqyrtohen nga zoti Lajçak ose në takimin e radhës kur do ta kenë, dhe nëse do të ketë tash në janar një takim në mes të kryeministrit Kurti dhe Vuçiqit, nëse do të nënshkruhet pa to, do të nënshkruhet, me to nuk besoj që do të nënshkruhet”, është shprehur Hoti.
Një përpjekje për të nënshkruar një deklaratë për të pagjeturit ishte bërë edhe në gusht të vitit 2022, me ndërmjetësimin Bashkimit Evropian.
Serbia kishte shfaqur kundërshtim sa i përket termit “persona të zhdukur me forcë”, për të cilin pala kosovare nuk ka hequr dorë.
Kryetari i Komisionit për Personat e zhdukur, Andin Hoti, ka thënë se ky term është i vetmi që bazohet në konventë ndërkombëtare të OKB-së dhe që e bën obliguese deklaratën edhe në anën juridike.
Gjithashtu, në deklaratë përfshihet paragrafi ku shtetet zotohen për hapjen e të gjitha dokumentacioneve që i kanë nga lufta e fundit në Kosovë, edhe ato të klasifikuara.
Hoti ka thënë se hapja e arkivave në Beograd, do të lehtësonte procesin e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur.
Megjithatë, Serbia nuk duket e interesuar për ndonjë dakordim, marrë parasysh tensionet që i provokoi në veri të Kosovës kohët e fundit.
Prej 10 dhjetorit, disa grupe të serbëve në veri të vendit për 20 ditë kishin vendosur 14 barrikada në rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë.
Gjithashtu barrikada ishin vendosur edhe pranë pikës kufitare në Merdare, në territorin e Serbisë.
Krejt këto zhvillime ndikojnë edhe në procesin e personave të pagjetur, ka thënë i biri i veprimtarit të zhdukur, Ukshin Hotit.
Kosova vazhdon t’i kërkojë edhe mbi 1 600 persona të zhdukur me forcë nga policia e ushtria serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.