
Hoti: Serbia në vazhdimësi ka pasur qasje destruktive ndaj Kosovës
Kryeministri në detyrë Avdullah Hoti ka reaguar pas vendosjes së hartës së Kosovës nën ngjyrat e flamurit serb nga ana e presidentit Aleksander Vuçiq.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se Serbia në vazhdimësi ka pasur qasje destruktive ndaj Kosovës, përkundër zotimeve para faktorit ndërkombëtar.
“Deklarata e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tregon qasjen destruktive që ka pasur në vazhdimësi fqinji ynë verior në raport me Republikën e Kosovës, përkundër zotimeve të shumta që Serbia i ka bërë, nën garancat e faktorit ndërkombëtar, për paqen, stabiliteti dhe prosperitetin e rajonit. Megjithë provokimet që vijnë nga fqinji ynë verior, Republika e Kosovës, përmes angazhimit dhe vendosmërisë, sigurt po vazhdon rrugëtimin drejt anëtarësimit sa më të shpejtë në NATO, Bashkimin Evropian dhe në të gjitha institucionet relevante ndërkombëtare”, ka shkruar Hoti.