Hoti shpreson se deri më 26 dhjetor të arrijnë marrëveshje me Vetëvendosjen
Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se kjo parti është duke insistuar në një marrëveshje të balancuar qeverisëse me Lëvizjen Vetëvendosje, pjesë e se cilës duhet të jetë edhe posti i presidentit.
Hoti nuk ka treguar nëse këtë të martë do të ketë takim mes të liderëve të dyja partive.
Ai ka thënë se i takon Vetëvendosjes që ta bëjë thirrjen e takimit për çështjen e koalicionit.
Më tutje, Hoti ka thënë se shpreson që deri më 26 dhjetor të arrihet marrëveshja në ditën kur edhe është thirrur seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.
Kurse sa i përket idesë së nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri sipas së cilës po mundohen ta gjejnë një kandidat konsensual për president, Hoti nuk ka bërë ndonjë koment të veçantë, pos që i është referuar deklaratave të djeshme të kryetarit Isa Mustafa.