Hoti shtron disa pyetje parlamentare për marrëveshjen KEDS-Elektrosever
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka njoftuar se ka shtruar disa pyetje parlamentare për përgjigje me shkrim, lidhur me marrëveshjen mes KEDS-it dhe Elektrosever-it.
Ai ka pyetur se kur është nënshkruar kjo marrëveshje, ndërsa ka kërkuar edhe kopjen e kësaj kontrate.
Gjithashtu ish-kryeministri i vendit, ka pyetur se a është regjistruar Elektroseveri si kompani sipas ligjeve të Kosovës, dhe kërkoi regjistrimin biznesor të kësaj kompanie.
Ndër pyetjet e shtruara nga deputeti i LDK-së, ishte se a ka marrë Elektroseveri licencë nga ZRrE-ja për operim, ku në këtë rast ka kërkuar edhe numrin e licenës.
Hoti përmes “Facebook”-ut ka thënë se kjo marrëveshje nuk është bërë publike dhe ka shumë konfuzione lidhur me mënyrën e marrëveshjes.
“Sipas raportimit të ZRrE-së në Komisionin Parlamentar për Buxhet, Financa dhe Transfere, Qeveria e Kosovës ka pagur 113 mil euro për energjinë e shpenzuar në komunat në veri në vitin 2021 dhe 2022. A qëndron ende deklarata e kryeminstrit Kurti se: Elektroserveri nuk duhet të pranohet kurrsesi; nëse KEDS-i nuk i mbledh faturat në veri, atëherë shpërndarja edhe furnizimi duhet të kthehet në pronë publike; nëse këtë nuk e bën KEDS-i duhet ta bëjë qeveria?!”, ka shkruar Hoti.