Hoti: Shumica absolute e do Kosovën në NATO dhe jo me shamia të kuqe të orientuar nga Lindja

10 shkurt 2021 | 13:27

Kandidati për kryeministër nga LDK-ja, Avdullah Hoti, në tubimin e sotëm në Viti ka thënë se “Zoti e ka bo verë”, duke u shprehur i bindur në fitore.

“Prej sot mbetet veç me e shpall që zgjedhjet janë të kryera më 14 shkurt dhe ne duhet të festojmë nga sot. Kudo që po shkojmë nëpër komuna Zoti e ka bo verë, edhe sot është ditë e mrekullueshme në Viti. Unë jam i bindur që të dielën do të festojmë, sepse kudo nëpër komuna ku shkojmë dhe sa herë bisedojmë me grupe të ndryshme të qytetarëve jam i bindur që shumica e qytetarëve në Kosovë e duan demokracinë dhe jo njerëz që duan ta kthejnë vendin prapa në autokraci. Jam i bindur se si në Viti, edhe gjithkund në Kosovë, ka më shumë njerëz të arsyeshëm që kemi punuar tash e 30 vjet për të orientuar këtë vend nga e ka destinimin e fundit-anëtar i BE-së dhe NATO-s, aty ku ka qenë vizioni i presidentit Ibrahim Rugova”, ka thënë Hoti.

Më tutje, duke e thumbuar Vetëvendosjen, Hoti ka thënë se zgjedhjet e të dielës janë zgjedhje që e përcaktojnë orientimin e Kosovës.

“Zgjedhjet e të dielës nuk janë zgjedhje të thjeshta për të formuar një shumicë parlamentare. Janë zgjedhje për të ruajtur orientimin properëndimor të shtetit të Kosovës. Unë besoj që do të fitojmë, sepse shumica absolute e njerëzve në Kosovë e do Kosovën në BE dhe NATO sesa që e do Kosovën me shamia të kuqe dhe të orientuar nga Lindja”, ka thënë Hoti.

Hoti sërish ka përmendur “shamiat e kuqe” dhe “kthimin në autokraci” duke iu referuar Vetëvendosjes. Ai ka thënë se ata kanë qenë dhe do të jenë gjithmonë pakicë.

“Një grup i njerëzve gjithmonë kanë qenë kundërshtarë të proceseve që kanë ndodhur në Kosovë. Gjithmonë kanë qenë pakicë në Kosovë. Kanë me mbet gjithmonë pakicë, sepse shpirti i lirë i qytetarëve të Kosovës është pro demokracisë, jo pro autokracisë, shamiave të kuqe dhe kthimit të sistemit të mëparshëm. Kemi bërë rrugë të gjatë, plot 30 vjet, për të ardhur këtu dhe ju garantoj që nuk ka kthim prapa në autokraci. Ka vetëm përparim drejt demokracive perëndimore, sado e vështirë që të jetë kjo rrugë”, është shprehur Hoti.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për president nga AAK-ja, Ramush Haradinaj, është pritur me…