Hoti: Sjellja e Qeverisë ndaj sindikatave e papranueshme

10 dhjetor 2021 | 14:20

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka bërë me dije se janë bërë nëntë muaj prej kur Projektligji i Pagave në Sektorin Publik nuk është sjellë në Kuvendin e Kosovës.

Në profilin e tij në “Facebook”, deputeti i LDK-së ka shkruar se në vend të dialogut social me sindikata për të gjetur një zgjidhje të përballueshme për buxhetin, Qeveria ka zgjedhur tendencën për ndërhyrje në pavarësinë e organizimit sindikal në Kosovë.

Sipas tij, kjo sjellje e qeverisë është e papranueshme.

Postimi i plotë i Hotit:

Po bëhen 9 muaj dhe ende ligji i pagave në sektorin publik nuk është sjellë në Kuvend. Ky ligj ka qenë pothuajse i gatshëm në qeverinë paraprake, ku janë adresuar vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese.

Në anën tjetër, në vend të dialogut social me sindikata për të gjetur një zgjidhje të përballueshme për buxhetin dhe që do të ishte e pranueshme për të gjithë, ne po shohim konfrontime qeveri-sindikata dhe tendencë për ndërhyrje të qeverisë në pavarësinë e organizimit sindikal në Kosovë. Kjo sjellje eshtë e papranueshme. Sindikatat janë institucione shoqërore të veçanta, të rregulluara dhe të mbrojtura me ligj. Ato kanë bartur barrën e ndryshimeve shoqërore e politike në Kosovë në vitet më të vështira. Ato nuk janë vetëm organizata që mbrojnë interesat e punëtorëve që ato i përfaqësojnë. Është obligim shtetëror që sindikatat të jenë pjesë substanciale e konsultimeve për ligjin e pagave, si dhe për shumë ligje dhe vendime të tjera shtetëtore.

Me këtë vonesë të procedimit në Kuvend të ligjit për paga në sektorin publik dhe mosinteresim të qeverisë për të adresuar shqetësimet e sindikatave, me të drejtë deputetë të opozites marrin nisma për ndarje të buxhetit për paga.

Ne do ta diskutojme me shumë kujdes amandamentin për ndarjen e mjeteve për paga në mbledhjen e Grupit Parlamentar të LDK-se përpara seancës së Kuvendit më 22 dhjetor, kur votohet buxheti në lexim të dytë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Isuf (Demë) Qetaj…