Hoti: ​S’ka normalitet pa drejtësi dhe të vërtetën për të zhdukurit

27 prill 2025 | 14:39

Në shënimin e Ditës së Personave të Zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, të dielën janë bërë homazhe te Monumenti i Personave të Zhdukur pranë Kuvendit të Kosovës.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me kabinetin e tij qeveritar, përfaqësues të shoqatave dhe familjarë, ka përkujtuar personat e zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, duke vendosur lule pranë Monumentit të Personave të Zhdukur.

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, ka thënë se çështja e të zhdukurve nuk është plagë individuale, por një plagë që prek gjithë shoqërinë kosovare.

Ai ka theksuar se normaliteti nuk mund të arrihet pa zbardhjen e së vërtetës dhe vendosjen e drejtësisë.

Sipas tij, zhdukjet, vrasjet dhe fshehja e trupave në varreza masive, janë krime kundër njerëzimit dhe gjenocid i pastër, për të cilat ende kërkohet drejtësi në instanca ndërkombëtare.

Hoti ka nënvizuar vendosmërinë që nuk do të ndalen, derisa të dihet fati i personit të fundit të zhdukur.

“Të zhdukurit dhe plaga jonë nuk është plagë individuale, por është një plagë që e prek gjithë shoqërinë tonë. Është një plagë që nuk mund të ketë normalitet pa u treguar e vërteta dhe pa ardhur drejtësia në vend. Të zhdukurit nuk mund të shërohen si plagë vetëm me kalimin e kohës. Kjo plagë do të shërohet vetëm kur drejtësia do të vihet në vend dhe e vërteta të tregohet në familje. Zhdukjet, vrasjet apo edhe dërgimi i trupave në frigorifer apo në pajisje të ndryshme nëpër varreza masive në Serbi, nuk janë thjeshtë akte lufte. Ato janë krim kundër njerëzimit, gjenocid i pastër. Një lloj krimi që në fakt bota e sotme nuk e sheh shpeshherë. Prandaj, ky krim duhet të ketë drejtësi, e që fatkeqësisht ne këtë drejtësi ende po vazhdojmë ta kërkojmë në instanca ndërkombëtare dhe kudo që mundemi. Ne, Kosova, qytetarët e Kosovës, nuk do të ndalemi derisa personi i fundit i zhdukur të dihet fati i tij”, ka thënë Hoti.

Homazhe ka bërë edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, të zhdukur kanë qenë rreth 6 mijë e 500 persona. Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.

Gërmimet e fundit janë bërë në Bishtazhin të Gjakovës, ku janë gjetur mbetjet mortore të mbi 10 kosovarëve, të vrarë gjatës luftës. /KP

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lamine Yamal kishte një mesazh pas lojës për Real Madridin…