Hoti: S’kemi hyrë në ato lojëra të sigurojmë vaksina vetëm për imazh publik
Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka mbajtur takim online me kryetarët e komunave dhe Asociacionin e Komunave të Kosovës.
Hoti në një fjalë rasti ka thënë se së shpejti pritet që të sigurohen vaksinat kundër Covid-19 sipas standardeve të Bashkimit Evropian,.
Ai ka theksuar se nuk ka pranuar të hyjë në lojëra të sigurojë vaksina vetëm sa për imazh publik.
“Është arritur që të menaxhohet situata me Covid-19 dhe në bazë të indikatorëve ndërkombëtarë, jemi ndër vendet që e kemi menaxhuar relativisht mirë këtë situatë. E ndjej veten mirë që si kryeministër bashkë me kolegë, asnjëherë nuk jemi sfiduar për mungesë të angazhimit për t’i dalë ballë kësaj pandemie. Ndërkohë që po flasim, është rregulluar përfundimisht furnizimi me oksigjen nëpër klinika. Janë shtuar kapacitet e testimit dhe sot asnjë person që ka nevojë nuk mbetet pa u testuar”, ka deklaruar ai.
“Zemaj ka punuar që sa kohë në sigurimin e vaksinës, për të cilën kemi pasur kritika publike të pabazuara, sepse ajo që ka ndodhur në regjion me ardhjen e vaksinave nga vendet e Lindjes që nuk janë të certifikuar, ne nuk kemi hyrë në ato lojëra që të sigurojmë vaksina vetëm sa për imazh publik. Besoj për disa ditë vijnë furnizimet e para me vaksina”, ka thënë Hoti.