Hoti, Svarqa dhe Quni po qëndrojnë për vizitë në Gjermani
Anëtarët e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, Muharrem Svarqa dhe Anton Quni, po qëndrojnë në Gjermani me ç’rast po takohen me struktura të degës.
Në takimin me Kryesinë e Degës së LDK-së në Gjermani, të mbajtur të dilemën në Hanover të Gjermanisë, diskutuan për organizimin e degës në Gjermani, dhe i falënderuan shumë për aktivitetin shumëvjeçar për pavarësinë e Kosovës.
“Ne do të jemi së bashku për të organizuar aktivitetin tonë tek bashkatdhetarët tanë në Gjermani, ku është i vendosur numri më i madh i mërgimtarëve. Në qeverinë e ardhshme do të punojmë ngushtë me këta veprimtarë për të dëgjuar me kujdes kërkesat e tyre për të lehtësuar udhëtimin e tyre në Kosovë dhe për të promovuar investimet e tyre në vendlindje. Do të punojmë shumë për të ndihmuar arsimin dhe kulturën shqiptare në Gjermani, në këtë vend mik”, ka thënë Avdullah Hoti.
Ai ka treguar se kanë biseduar gjatë që këta veprimtarë të ndihmojnë partinë simotër të LDK-së që është CDU-ja e kancelares Merkel dhe të inkuadrohen më shumë në institucionet gjermane me përfaqësues të shqiptarëve.
Hoti ka pohuar se gjenerata e tretë e mërgimtarëve në Gjermani dhe ne vendet e tjera do të jetë burim i kuadrove të ekspertëve për Qeverinë e ardhshme të Kosovës.
Anëtarë të Kryesisë së LDK-së po qëndrojnë në Gjermani në Akademinë Përkujtimore me rastin e përvjetorit të ministrit të Mbrojtjes, kolonel Ahmet Krasniqi, të organizuar nga dega e LDK-së në Gjermani.
/Epoka e re/