Hoti takohet me ambasadorin norvegjez, bisedojnë për dialogun me Serbinë dhe njohjen reciproke
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka pritur në takim ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grondahl.
Hoti e ka njoftuar mysafirin për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, në luftën kundër pandemisë Covid-19, masat për rimëkëmbjen ekonomike, agjendën e reformave evropiane, fuqizimin e sundimit të ligjit, si dhe për zhvillimet e përgjithshme në vend.
Me këtë rast, kryeministri Hoti ka shprehur falënderimin e tij dhe të Qeverisë që udhëheqë për ndihmën e Norvegjisë dhënë Kosovës në të gjitha fazat e zhvillimit, duke vlerësuar se forcimi i bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve është i një rëndësie të veçantë edhe në të ardhmen, raporton “Epoka e re”
Në këtë takim është diskutuar edhe çështja e dialogut, për të cilën kryeministri Hoti ka thënë se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje finale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, e cila do të rezultojë me njohje reciproke.