Hoti takohet me drejtorët e shkollave në Prizren
“Do t’i kthehemi arsimit fuqishëm pasi që pa arsim as liria nuk ka kuptim. Ju drejtorë keni bërë një punë të jashtëzakonshme. Vullneti dhe gatishmëria juaj ka qenë e pakontestueshme andaj në nivel vendi kemi gjithsej 44723 fitues. Vetëm komuna e Prizrenit ka gjithsej 3241 fitues në të dyja garat në të tria nivelet. E vlerësoj shumë edhe përfshirjen e komuniteteve në Programin Nacional për Rininë, pasi që ai është hartuar për të gjithë nxënësit pa dallim, kjo është edhe e bukura e Prizrenit. Falë Prizrenit ne kemi pasur shumëllojshmëri të komuniteteve si në kampe, ashtu edhe bursistë. Unë pres që edhe në garat e tanishme nxënësit e komunës suaj të tregohen të suksesshëm”. Kështu tha Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti, para drejtorëve të shkollave të komunës së Prizrenit.
Koordinatori Hoti tha se suksesi i nxënësve të Prizrenit i arritur në gara garat nacionale të Kreativitetit Kulturor dhe Mendimit Kritik dhe atyre të Diturisë nuk do të ishte i mundur pa përkushtimin e drejtorisë komunale të arsimit, drejtorëve dhe stafit të shkollave.
Ai tha se gjatë realizimit të garave ka pasur sfida mirëpo janë tejkaluar në bashkëpunim me këta akter.
/Epoka e re/