Hoti takohet me kryetarin e Junikut, Agron Kuçin
Sot Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës Rexhep Hoti takoi Kryetarin e Komunës së Junikut Agron Kuçi. Në takim u bisedua për Programin Nacional për Rininë, konkretisht garat që do të fillojnë nga ky muaj; Garat Nacionale në Sport dhe Garat Nacionale në Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik.
“Edhe pse jeni komunë e vogël, suksesin në garat e organizuara nga ne i keni pasur shumë të mëdha. Jam shumë i kënaqur me gatishmërinë tuaj për bashkëpunim dhe organizim të përbashkët. Kjo tregon se ju jeni duke punuar në të mirën e nxënësve e rrjedhimisht në të mirë të shoqërisë. E bukura e gjithë programit është se në të ka hapësirë për të gjithë nxënësit e republikës. Ne nuk e dallojmë asnjë nxënës e asnjë komunë, andaj jam i lumtur të shoh shtrirjen e programit gjithandej Kosovës”, tha Koordinatori Hoti.
Ndërkaq kryetari Kuçi falënderoi Koordinatorin për mundësinë që ua ka ofruar secilit nxënës të shprehin talentet e tyre.
“Një program me një gjithëpërfshirje kaq të madhe sigurisht se është edhe sfidues, por mbështetja jonë nuk do të mungojë asnjëherë për projektet si kjo që padyshim janë për të mirën e nxënësve”, tha Kryetari Kuçi.
Në dy garat e mbajtura atë të Kreativitetit Kulturor dhe Mendimit Kritik dhe Garën e Diturisë për të gjitha nivelet fitues të vendeve të para kishim gjithsej 44,723 nxënës fitues.