Hoti takohet me përfaqësuesit e Luginës së Preshevës
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka pritur të premten në takim përfaqësuesit e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, me të cilët ka biseduar për proceset e përgjithshme në vend, për situatën e krijuar nga pandemia Covid-19 dhe sfidat me të cilat po përballen qytetarët si pasojë e kësaj pandemie.
Hoti me këtë rast, ka shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të qytetarëve të Luginës së Preshevës, raporton “Epoka e re”.
Po ashtu, ai ka theksuar gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për forcimin e bashkëpunimit me përfaqësuesit politikë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, si dhe për përkrahjen për këto tri komuna në fushën ekonomike, të infrastrukturës, kulturës dhe arsimit.
Ndërsa përfaqësuesit e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës e kanë falënderuar Hotin për pritjen dhe për përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të vazhduar bashkëpunimin edhe në të ardhmen.