Hoti takohet me shefin e BE-së në Kosovë, bisedojnë për zhvillimet politike dhe pandeminë
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, në takimin e rregullt me shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka biseduar rreth aktualitetit politik dhe ekonomik në vend, luftën kundër Covid-19 dhe agjendën e integrimit, përkatësisht reformës evropiane.
Hoti ka shprehur përkushtimin e qeverisë në detyrë që me përgjegjësi të plotë t’i kryejë të gjitha obligimet, në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, deri në krijimin e Qeverisë së re.
Hoti me ambasadorin Szunyog ka biseduar edhe për masat që ka ndërmarrë qeveria për menaxhimin e situatës me pandeminë Covid 19, si në aspektin shëndetësor ashtu edhe në atë ekonomik, duke e falënderuar BE-në për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës.
Hoti ka shprehur vendosmërinë e qeverisë në detyrë, që të vazhdojë me agjendën e reformës evropiane dhe në të njëjtën kohë të mirëmbaj kriteret e plotësuara tashmë, për liberalizimin e vizave, me qëllim që edhe qytetarët e Kosovës të mund të lëvizin lirshëm në vendet anëtare të BE-së.