Hoti takohet me shqiptarët e Sanxhakut (Foto)
Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti po qëndron për vizitë zyrtare në Sanxhak të Serbisë.
Ai të dielën bashkë me delegacionin nga Kosova dhe Lugina e Preshevës janë pritur nga kryetari i Komunës e Sijenicës, Hazbo Mujoviq.
Në këtë komunë, përveç boshnjakëve, turqve e serbëve, jeton edhe komuniteti shqiptar. Aty Hoti është informuar për bashkëjetesën në mes të komuniteteve si dhe ka prezantuar Programin Nacional për Rininë.
“Sot jam këtu që të ju shpalos Programin Nacional për Rininë që realizohet në formë gare për të gjithë nxënësit në fushën e diturisë, sportit dhe kreativitetit kulturor dhe mendimit kritik. Është një program që do të na ndihmojë të njohim më mirë njëri-tjetrin dhe të thellojmë bashkëpunimin”, ka thënë Hoti.
Ndërsa kryetari Mujoviq e ka mirëpritur delegacionin nga Kosova, duke thënë se propozimi për bashkëpunim është shumë domethënës dhe i rëndësishëm.
“Rinia e shëndoshë garanton një shtet të shëndoshë. Ne jemi shumë të interesuar që nxënësit tanë të marrin pjesë në programin tuaj. Ne do ta analizojmë materialin e por është me rëndësi që të ju them se si komunë, jemi shumë të interesuar të mbështesim programin”, ka thënë ai.
Pas takimit, Hoti me delegacion nga Kosova kanë vizituar rrafshnaltën e Peshterit si dhe fshatrat e rrethinës ku janë takuar me banorët me të cilët kanë bashkëbiseduar për jetesën e tyre.
Hoti ka biseduar me një pjesë të familjes Shkreli, të cilët vinin nga fisi i poetit të njohur Azem Shkreli dhe të cilët kanë pohuar se një pjesë e familjes së tyre ishte në Rugovë dhe një pjesë ka mbetur në Sanxhak.
Pjesë e delegacionit nga Kosova ishte edhe kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, profesori Nexhmedin Spahiu, udhëheqësi i Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”, Ismet Azizi dhe Xhelal Shaqiri, zyrtar ndërlidhës i Zyrës së Kosovës në Beograd.
/Epoka e re/