Hoti takon Edward Josephin: Zgjidhja e vetme është dialogu dhe koordinimi me aleatët tanë
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka takuar mbështetësin e fortë të integrimit euro-atlantik të Kosovës, Edward Joseph.
Hoti ka bërë me dije se zhvilluan një bisedë shumë përmbajtësore për zhvillimet aktuale politike në vend, si dhe rëndësinë për stabilitet në rajon.
“Z.Joseph është njohës shumë i mirë i zhvillimeve politike në Ballkan. I dëgjova me shumë interes pikëpamjet e tij lidhur me situatën aktuale. Theksova se, Kosova duhet të jetë promovuese dhe kontribuese e stabilitetit rajonal. Tregova pikëpamjet e LDK-së për dialogun dhe zhvillimet aktuale politike. Për LDK-në, zgjidhja e vetme është dialogu dhe koordinimi me aleatët tanë”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.
Ai ka theksuar se marrëveshja gjithëpërfshirëse për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve është zgjidhja e vetme që siguron paqe të përhershme në këtë pjesë të Evropës.
“E falënderova për kontributin e tij ndër vite që ka bërë për Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Hoti.