Hoti: Taksa tregon dështimin e diplomacisë kosovare
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti në Interaktiv ka thënë se taksa e vënë ndaj Serbisë tregon dështimin e diplomacisë kosovare.
“Taksa tregon dështimin në diplomacinë e Kosovës, dështimin në Interpol. Kjo është një masë që synon të mbulojë dështimet. E ka vendosur Kosovën në arenën ndërkombëtare në një pozicion të vështirë, por presim që Qeveria ta mbajë këtë taksë”, është shprehur ai.
Në dhjetë vitet e fundit ai thotë se përkrahja ndërkombëtare s’ka qenë asnjëherë më e ulët.
“Jemi duke ofruar alternativën tonë që nga muaji maj-qershor. Nga shtatori e këtej s’ka as për të votuar ligjet e thjeshta. Kanë qenë shumë arrogant ndaj nesh, e janë të pazotë për të quar procese përpara. Me futjen e PSD-së në këtë proces veçse po e vonojnë llogaridhënien para qytetarëve për dështimet e vazhdueshme që kanë ndodhur. Nuk ka mundësi që Kosova të udhëhiqet nga njerëz që nuk përfaqësojnë asgjë. Asnjë Qeveri nuk ka qenë perfekte. Por, kjo që është tani numëron dështime të njëpasnjëshme. Në dhjetë vite përkrahja ndërkombëtare s’ka qenë më e ulët”, ka thënë Hoti në “Interaktiv”, të “KTV”-së.