Hoti tallet me Kurtin pasi e krahasoi bruto produktin me vitin 2000: Propagandë e marrë

13 qershor 2024 | 20:37

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti tha se Qeveria e Kosovës po bënë propagandë komuniste e të marrë.

Kjo deklaratë e Hotit vjen pasi kryeministri Kurti u lavdërua duke e krahasuar Produktin e Brendshëm Bruto të vitit 2023 me atë të vitit 2000, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“Të gjithë e dinë se në vitin 2000, ne sapo ishim kthyer nga deportimi i “politikës së tokës së djegur”, që u zbatua sistematikisht nga regjimi serb. Në vitin 2000, gjysma e shtëpive ishin të djegura. Kafshët shtëpiake dhe mjetet bujqësore ishin të vjedhura e të shkatërruara. Infrastruktura shkollore, shëndetësore e rrugore ishte shkatërruar gati plotësisht nga lufta e nga mungesa e investimeve mbi 10 vjet. Shumica e bizneseve ishin plaçkitur e duhet të nisnin nga e para.Kjo sjellje e kreut të Qeverisë është propagandë e marrë, sikur ajo e komunistëve, të cilët mashtronin qytetarët me ‘arritjet e planeve 5-vjeçare’, në ndërkohë që qytetarët varfëroheshin.”, ka theksuar Hoti.

Ai ka ironizuar me Kurtin duke i propozuar që ta bëj krahasimin me vitin 1998-99.

“Sigurisht se rritja i del të jetë jo 5 herë, por 10 herë më e madhe!”, ka shkruar ai.


Sot, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë është lavdëruar për rritje të bruto-produktit vendor gjatë qeverisjes së tij.

“Ekonomia e bruto-produktit vendor sivjet do të jetë pesë herë e gjysmë më e madhe se sa në vitin 2000, pas më pak se 25 vjetëve ekonomia është rritur pesë herë e gjysmë”, tha Kurti.

“Ndërkaq krahasuar me vitin kur është shpallur pavarësia, sivjet do ta kemi bruto-produktin vendor tri herë më të madh. Kurse krahasuar me katër vjet, e kemi sivjet 50 për qind më të lartë”, shtoi.

Tutje, Kurti ka theksuar se qeverisja “po bëhet përherë e më e mirë”, duke theksuar se çlirimi sakrifica ndër gjenerata dhe shpallja e pavarësisë ia kanë vlejtur edhe në aspektin e rritjes ekonomike edhe në atë të demokracisë.

“Qytetarët janë më të lirë, shteti është më i pavarur dhe më i zhvilluar se kurdoherë më parë, demokracia është përherë më e shëndoshë”, potencoi ai.

Gjatë fjalimit të tij, Kurti ka shprehur mirënjohje dhe nderime për të gjithë ata që sakrifikuan për liri, derisa falënderoi institucionet që u morën me organizimin e 25 vjetorit të çlirimit të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Muhamet Beqiri, nënoficer i Forcës së Sigurisë së Kosovës ka…