Hoti tallët me qeverinë Kurti: Krejt çfarë dinë është subvencionimi përmes platformës ‘e-Kosova’
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka adresuar akuza të ashpra në drejtim të qeverisë Kurti.
Ai ka thënë se kjo qeveri është duke dështuar në çdo fushë.
Hoti në “Facebook” ka shkruar se tani qeveria ia ka mësyrë shpenzimit të buxhetit përmes subvencioneve.
Duke ironizuar, ai ka bërë me dije se nuk duhet të çuditemi nëse Qeveria subvencionon edhe policët për uniformë.
“Pas dështimeve në çdo fushë, ia kanë mësyrë shpenzimit të buxhetit përmes subvencioneve. Subvencionim i pajisjeve shtëpiake! Subvencionim i energjisë elektrike! Subvencionim i librave për nxënës! Mos u çuditni kur të subvencionohen policët për uniformë dhe këpucë, apo pacientët për barnat nga lista esenciale, pasi po dështojnë tenderët në vazhdimësi për arsyet që vetëm ata i dinë”, ka shkruar ai.
Sipas tij, qeveria Kurti po e dëshmon se nuk kanë fare ide për politikat fiskale dhe buxhetore.
“Kjo lloj politike buxhetore shpërfaq varfërinë në dije të këtyre që po qeverisin. As praktikantë nuk mund tu thuash më, sepse praktika zgjatë gjashtë muaj deri në një vit. Pas tri vitesh në qeverisje, është e qartë se ide nuk kanë për politika fiskale e buxhetore në kushtet e ekonomisë së tregut dhe konkurrencës vendore e të jashtme. Ide nuk kanë si tërhiqen investimet, si prioritizohen investimet publike, apo si sigurohet vlera maksimale për paranë e shpenzuar nga buxheti. Krejt çfarë dinë është subvencionimi përmes platformës ‘e-Kosova’, duke i kushtuar shtetit shumë më shtrenjtë”, ka shkruar Hoti.