Hoti, Thaçit: Qytetarët me zgjedhje do të vendosin se kush do ta drejtojë dialogun
Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka reaguar ndaj deklaratës së presidentit Hashim Thaçi, i cili në një konferencë për medie sot ka theksuar se e mbështet Hotin për kryenegociator në kuadër të dialogut me Serbinë.
Hoti nëpërmjet llogarisë se vet në “Facebook” ka kërkuar nga Thaçi që të qëndrojë brenda kompetencave kushtetuese.
“Qytetarët e Kosovës përmes zgjedhjeve të lira do të vendosin se kush do ta udhëheq dialogun me Serbinë. Një gjë është e qartë që tani se ai person nuk do të jetë z. Thaçi, pasi ai në bazë të Kushtetutës së Kosovës nuk ka mandat të vendos për këto çështje. E ftoj z. Thaçi të qëndrojë brenda kompetencave që ia jep Kushtetuta e Kosovës. Deklarimet e tij janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Në vend që të jetë garant i rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, ai është duke e cenuar çdo ditë atë dhe për këtë duhet të flasë Gjykata Kushtetuese”, ka shkruar Hoti.
Hoti ka thënë se Thaçi me deklarimet e tij për ndryshim të kufijve është duke e dëmtuar Kosovën në arenën ndërkombëtare.
“Dëmet që z. Thaçi me deklarimet e tij antikushtetuese është duke ia bërë shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare janë të mëdha. Ai e ka nxjerrë jashtë funksionit krejt diplomacinë e Kosovës, si dhe diplomacinë e vendeve mike, duke stopuar plotësisht njohjet e reja dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare të shtetit të Kosovës. Qytetarët e Kosovës e kanë vendosur fatin e Kosovës si shtet i pavarur, i integruar në BE dhe NATO dhe në miqësi të përhershme me ShBA. Këtë nuk mund ta zhbëjë askush”, ka shkruar Hoti.
/Epoka e re/