Hoti thotë se diplomacia e Kosovës është në qorrsokak
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, e ka mirëpritur deklaratën e kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel, e cila ka dalë kundër ndryshimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor.
Hoti në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se idetë për ndryshim të kufijve e kanë futur në qorrsokak diplomacinë e Kosovës.
Postimi i plotë i Hotit:
E kam mirëpritur deklarimin e qartë të kancelares Merkel kundër ndryshimit të kufijve. Pres që pas këtij deklarimi, si dhe të deklarimeve të disa qeverive të tjera, të ndalen personat në Kosovë e Serbi që po promovojnë këtë ide, të cilët padyshim se po e bëjnë në mënyrë të koordinuar.
Në dhjetëvjetorin e pavarësisë së Kosovës, kjo ide e ka nxjerrë në pah pasigurinë politike të krejt Ballkanit Perëndimor. Kjo padyshim se do të shtyjë proceset eurointegruese të rajonit, por do të ndikoje edhe ne përkeqësimin e gjendjes ekonomike dhe sociale, duke e renduar jetën e qytetarëve.
E mira është se në Kosovë tanimë është krijuar masa kritike e spektrit politik për të mos lejuar eksperimente të tilla që po bëhen për hesape personale.
Megjithatë, ajo që tanimë ka ndodhur është dërgimi i sinjaleve të paqarta tek miqtë tanë dhe tek shtetet që ende nuk na kanë njohur lidhur me atë se çfarë duan qytetarët e Kosovës.
Kjo e ka futur në qorrsokak diplomacinë tonë dhe atë të vendeve mike, që ka rezultuar me stopim të plotë të integrimit të Kosovës në mekanizma ndërkombëtare ku ka qenë e mundshme, si dhe ka stopuar plotësisht njohjet e reja.
/Epoka e re/