Hoti thotë se dorëheqja e qeverisë është shpëtim për stabilitetin ekonomik dhe politik të vendit
Ish-kryeministri i Kosovës dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka komentuar situatën ekonomike në vend, duke cilësuar qasjen e Qeverisë së Kosovës në këtë fushë si të dobët.
Hoti ka thënë se shpenzimet për çështje ekonomike gjatë vitit 2022 kanë rënë dukshëm krahasuar me vitin 2019, që është viti para pandemisë.
“Performancën e dobët në ekonomi të kësaj qeverie e dëshmojnë këto të dhëna. Kjo e fakton argumentin se ekonomisë së Kosovës i mungojnë rreth 500 milionë euro investime kapitale, të cilat kanë prodhuar efekte multiplikuese negative në të ardhura dhe rritje ekonomike”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.
Më tutje, Hoti ka theksuar se kjo është arsyeja që rritja ekonomike, matur në periudha tremujore, ka qenë me trend rënës nga tremujori i dytë i vitit 2021, që është koha kur kjo qeveri ka nisur punën.
“Dorëheqja është shpëtim për stabilitetin ekonomik dhe politik të vendit”, ka shkruar Hoti.