Hoti thotë se Kosova vuan nga sundimi i treshes Thaçi-Haradinaj-Veseli
Shef i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka deklaruar se iniciativa e kryeparlamentarit Kadri Veseli për themelimin e një Tribunali për krimet e Serbisë në Kosovë, nuk është bërë siç duhet.
Hoti ka theksuar se ka pasur nevojë për një koordinim të Veselit me të gjitha grupet parlamentare lidhur me këtë iniciativë.
Kryeparlamentari Veseli gjatë seancës e ka kundërshtuar Hotin, duke thënë se sot i kishte ftuar kryetarët e të gjitha grupeve parlamentare, por se ky i fundit nuk ishte prezent.
Avdullah Hoti në deklarimin e tij në Kuvend ka hedhur dyshime lidhur me qëllimin e iniciativës së Veselit.
“Sot shteti i Kosovës vuan nga sundimi i treshes Thaçi-Haradinaj-Veseli. Është e vërtet që këto krime kanë ndodhur, por po përdoren për përfitime politike”, ka thënë Hoti.