Hoti thotë se Kosovë është në prag të prishjes me Amerikën
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se për shkak të veprimeve të Qeverisë Haradinaj, Kosova është në prag të prishjes së marrëdhënieve miqësore me ShBA-në
Në këtë kontekst, Hoti në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se kryeministri Ramush Haradinaj ka deklaruar se prishja me ShBA-në nuk është problem.
Postimi i plotë i Hotit:
1. Kosova ka bërë regres në luftimin e korrupsionit. Transparency International vlerëson se Kosova ka rënë nga pozita 85 në pozitën 93. Kjo sigurisht nuk është e papritur me këtë qeveri.
2. Kosova në prag të prishjes së marrëdhënieve miqësore me SHBA. Kryeministri në largim deklaron se kjo nuk është problem.
3. Kosova e bllokuar nga grevat në arsim, shëndetësi dhe administratë, të nxitura nga vendimi i Qeverisë për të rritur pagën për vete, edhe pse kjo u vlerësuar të jetë konflikt i interesit nga Agjencia Antikorrupcion, që është e thirrur ligjërisht për të dhënë vlerësime të tilla.
Lajme të tilla nuk duhet të prodhohen në Kosovë. Ne duhet të prodhojmë lajme për investitorë të huaj që investojnë në Kosovë, për arritje në diplomaci, për përmirësim të jetës së qytetarëve, lajme për plotësim të kërkesave për integrim evropian.
/Epoka e re/