Hoti thotë se Kuvendi po mbahet peng nga koalicioni PAN
Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se koalicioni PAN është duke e mbajtur peng Kuvendin e Kosovës.
Duke e parë situatën në Kuvend, Hoti ka thënë se ky koalicion nuk ka legjitimitet për të qeverisur me Kosovën.
“Kuvendi i Kosovës ka kohë që po mbahet peng nga PAN-i, një pakicë qeverisëse pa legjitimitet që po e shfrytëzon situatën e krijuar nga mungesa e një grupi të deputetëve që përfaqësojnë komunitetet pakicë.
Në sesionin vjeshtor 2018, të 11 seancat e filluara patën mbetur të hapura. Pikat e rendit të ditës të atyre seancave u bartur në këtë vit. Sivjet prapë është e njëjta situatë. Janë 8 seanca të hapura me 61 pika të rendit të ditës”.
“I gjendur në një situatë të tillë të pafuqisë politike për të siguruar funksionimin e rregullt të Kuvendit të Kosovës, Kryetari i Kuvendit si shef i PAN-it i lut tani grupet parlamentare që t’i diskutojnë çështjet që presin për votim me deputetë dhe të dakordohen për datën e votimit të tyre. Deputetët e opozitës janë duke folur qartë për gati një vit. Përmes mos votimit, deputetët e opozitës i kanë treguar koalicionit PAN se nuk ka legjitimitet për të qeverisur”, ka shkruar Hoti në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/