Hoti thotë se MCC-ja ka konfirmuar mbështetjen për Kosovën
Kryeministri Avdullah Hoti ka njoftuar se ka pranuar një letër nga Sean Cairncross, kryeshef ekzekutiv në Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), ku i është rikonfirmuar vazhdimi i mbështetjes kompakte për Kosovën, raporton “Epoka e re”.
“Jam i lumtur të ndaj me ju lajmin se Bordi i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) ka rikonfirmuar vazhdimin e mbështetjes kompakte për Kosovën. Në letrën që kam pranuar nga z. Sean Cairncross, kryeshef ekzekutiv në MCC, thuhet se ky vendim vjen si njohje e partneritetit tonë të fuqishëm dhe angazhimit të qëndrueshëm që Kosova ka bërë në fuqizimin e institucioneve demokratike, duke mbajtur politika të shëndosha ekonomike dhe duke investuar në qytetarët e sajë”, ka shkruar Hoti në llogarinë e vet në “Facebook”.
Hoti ka theksuar se Bordi i MCC-së ka vlerësuar angazhimin e institucioneve të Kosovës për të luftuar korrupsionin dhe punën e zellshme për të zbatuar me sukses programin e pragut të Kosovës.
“MCC-ja vlerëson edhe formimin e Ekipit të Veprimit, për zhvillimin e sektorit të gazit i cili vazhdon të ketë burimet dhe vëmendjen e nevojshme nga zyra ime dhe nga të gjitha ministritë përkatëse”.
“Jam shumë i lumtur për vazhdimin e mbështetjes nga ana e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe pres thellimin e partneritetit për të jetësuar një program ambicioz inovativ dhe transformues në Kosovë”, ka shkruar Hoti.