Hoti thotë se Projektligji për rimëkëmbje ekonomike miratohet javën e ardhshme
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka paralajmëruar se Projektligji për rimëkëmbjen ekonomike do të miratohet javën e ardhshme në Kuvend.
Hoti këtë lajm e ka dhënë gjatë vizitës në Suharekë në kuadër të shënimit të Javës së Biznesit Kosovar 2020.
“Gjendja është e rëndë po do të iu qëndrojmë afër bizneseve. Vitin ardhshëm kemi paraparë buxhet 182 milionë euro edhe me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë. Ligjin për rimëkëmbje ekonomike do ta kalojmë javën tjetër”, ka premtuar Hoti.
Duke folur edhe për masat e reja të paralajmëruara kundër Covidit, ka thënë se të dielën do të bëhet vlerësimi i efektit të masave të ndërmarra më herët.
“Tash e kemi vendosur një protokoll, masat i vlerësojmë të dielën çfarë efekti kanë pasur. Do t’i vlerësojmë, jemi duke i përfillur udhëzimet e nevojshme. Do të fokusohemi në zbatimin e masave. Dhe kemi punuar shumë, janë furnizuar spitalet me barna”, ka thënë Hoti.