Hoti tregon arsyet pse i shkarkoi tre drejtorët: Nuk keni parë gjë akoma

21 tetor 2020 | 11:10

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka treguar sot arsyet e shkarkimit të tre drejtorëve kryesorë të institucioneve.

Për më tepër, Hoti ka paralajmëruar edhe shkarkime të tjera, duke mos dhënë shumë detaje.

“Siç thuhet të ne një fjali. Sa i përket vendimeve, nuk keni parë gjë akoma”.

“Kam marr vendime të rëndësishme që lidhen me abuzimin e detyrave. Në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) na është dashur të marrim vendim për të liruar drejtorin dhe për të theksohet qartë që Murtezaj sa ka qenë në këtë pozitë ka ndërmarrë një varg vendimesh jo të mira për shkak të paaftësisë apo sjelljes së keqe. Ai ka miratuar rregulloren për administrimin në kundërshtim me ligjin përkatës. Arsyeja tjetër: ka shpallë konkurs tri pozita të drejtorit të përgjithshëm dhe s’ka sistemuar ish-zëvendësit. Ka bërë lëvizje të shpeshtë të stafit duke degraduar zyrtarë të kësaj agjencie në pagë të tyre. Për të gjitha këto shkelje na është dashur të marrim vendime për vendosjen e ligjshmërisë në këto institucione të rëndësishme”, ka thënë Hoti në një konferencë për medie.

Ndërsa për lirimin nga detyra të ushtruesit të detyrës së Doganës, Hoti ka thënë se arsyeja e vetme ishte që ai ka qenë në proces të kandidimit për këtë post, prandaj ka emëruar një tjetër që s’është në këtë proces.

Për drejtorin e Policisë, Rashit Qalaj, Hoti ka pasur kritika të mëdha, pa përjashtim edhe të aksionit të Karaçevës.

“Në bazë të raportit të performancës të dorëzuar tek unë nga ministri i Brendshëm kam liruar nga detyra drejtorin Qalaj. Raporti i performacës thekson ka treguar performancë jo të kënaqshme në udhëheqje, kontroll dhe mbikëqyrje. Po ashtu, edhe në shpërndarje e buxhetit brenda institucionit ka dështuar. Në raport theksohet që me planin zhvillimor të strategjisë ku janë prezantuar katër të tilla, ministri vlerëson se s’janë përmbushur disa prej tyre”.

“Në vitin 2019-20 janë arrestuar 68 pjesëtarë të Policisë së Kosovës për përfshirje në vepra penale. Përkundër numrit kaq të madh nuk është bërë asnjë ndryshim në menaxhmetin e lartë të këtij departamenti. Drejtori i përgjithshëm në vitin 2017 në kundërshtim me legjislacionin që rregullon procedurat e kanë ndryshuar organogramin e policisë pa kaluar fare në procedurat ligjore. Të njëjtën s’e ka publikuar asnjëherë duke e mbajtur të fshehtë nga ministri. Këto janë arsyet pse është shkarkuar”, është shprehur Hoti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka reaguar në lidhje me…