Hoti: Tri vite nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike, Kosova ende nuk ka ambasador në Izrael
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se krerët e shtetit u kujdesën sot të dënojnë sulmet ndaj Izraelit, dhe sipas tij, kjo është me vend.
“Këtë e kam bërë edhe vetë në kontaktet e drejtpërdrejta me bartësit e institucioneve izraelite. Por ndihem keq për faktin se tri vite nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike, Kosova ende nuk e ka emëruar ambasadorin/en e Kosovës në Izrael. Kosova ende përfaqësohet në Izrael me ‘të ngarkuar me punë’. Kjo është mungesë respekti e krerëve të shtetit të Kosovës ndaj njohjes që na erdhi direkt nga Shtëpia e Bardhë pas vitesh mungese të njohjeve. Kjo është mungesë respekti ndaj shumë marrëveshjeve që Izraeli ka nënshkruar me Kosovën pas shkëmbimit të misioneve diplomatike në shkurt 2021”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.
“Këta që më shanin në Kuvend për një marrëveshje të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, e hidhnin dyshime për validitetin e kësaj njohjeje që erdhi direkt nga Shtëpia e Bardhë, duhet të tregojnë respekt e mirënjohje për aleatët e Kosovës. Pa ta Kosova mbetet e izoluar, pa zhvillim, pa integrime euro-atlantike”, ka shkruar Hoti.