Hoti u dhuron libra nxënësve fitues të Kamenicës dhe Fushë Kosovës

13 janar 2020 | 15:47

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës, Rexhep Hoti, i ka dhuruar të hënën 269 sete librash nga autorë të ndryshëm.

Librat u janë dhuruar si shpërblim nxënësve fitues të garës Nacionale në Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik dhe garës Nacionale të Diturisë në Komunën e Fushë Kosovës si dhe të Kamenicës.

Me këtë rast, koordinatori Hoti ka uruar edhe fillimin e gjysmëvjetorit të dytë duke thënë se po nis këtë gjysmë-vjetor duke shpërblyer nxënësit për suksesin e arritur.

Në Kamenicë, Hoti ka theksuar rëndësinë e shkollimit, ndërkohë ka shprehur përkrahje për reformat në arsim, kurse në Fushë Kosovë ka folur për masivitetin e garave dhe rëndësinë e tyre.

“Jam i lumtur që sot po ju dhuroj atë që keni fituar me dijen tuaj nga garat që keni zhvilluar. Angazhimi i fuqishëm i komunave, drejtorëve, mësimdhënësve, prindërve, DKA-ve dhe nxënësve ka treguar se kur punojmë për qëllime të përbashkëta, mund t’i realizojmë në mënyrën më të mirë të mundshme. Falë kësaj pune sot 44 723 nxënës mbajnë titullin e fituesit dhe që të gjithë janë shpërblyer. Në Komunën e Kamenicës janë bërë reforma në arsim dhe ne si qeveri ju garantojmë se asnjë nxënës nuk do të mbetet pa shkollim sepse kjo është e drejtë kushtetuese”, ka thënë Hoti.

Edhe kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka folur për rëndësinë e shkollimit dhe të shpërblimeve që u janë ndarë nxënësve. “E falënderoj koordinatorin për gjithë punën që ka bërë e sidomos për këto shpërblime. Nuk ka gjë më të çmueshme sesa dija, e dhuratë më të mirë se libri. Sukseset do të jenë çdo herë me ju nëse ndiqni rrugën e shkollimit dhe të dijes”, është shprehur Kastrati.

Nxënësit fitues janë ndarë të kënaqur me shpërblimet, ndërsa kanë treguar edhe për përgatitjet që kanë bërë për garat.

Komuna e Kamenicës ka pasur 968 nxënës fitues në të gjitha nivelet e garës nacionale në Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik si dhe në Dituri, ndërsa 530 fitues në të gjitha nivelet e garave ka pasur Komuna e Fushë Kosovës.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Dukagjinit të Klinës është përforcuar të hënën me…