Hoti u shpërndan libra nxënëseve
294 nxënës të martën kanë marrë sete me libra si shpërblim nga Rexhep Hoti, koordinator Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës.
Hoti ka shpërndarë librat për nxënësit fitues të nivelit komunal të garës nacionale në kreativitet kulturor dhe mendim kritik dhe garës nacionale të diturisë, i shoqëruar nga Drejtori Komunal i Arsimit në Deçan, Bekim Vishaj.
Me këtë rast ai ka thënë se po i dhuron fëmijëve atë që ata realisht e meritojnë.
“Sot po ju shpërblehet mundi juaj. Po shpërbleheni me libra sepse dija është gjëja më e çmueshme e njeriut. Andaj, sot ju them se edhe ne, por edhe ju keni pasur sfida, por të gjithë së bashku kemi shpallur 44,723 fitues në gjithë Kosovën. Të gjithë këta fitues sot mbajnë me krenari një trofe të fitores që e kanë arritur. Ne kemi përmbushur të gjitha premtimet tona, por edhe ju si nxënës jeni pasuruar me dije e përvoja të reja siç është kjo e garës. Uroj që ju të jeni gjithmonë më të mirët e vendit, sepse vetëm me ju ne mund të arrijmë ditë të mira për vendin tonë”, ka thënë Hoti.
Ndërsa duke e falënderuar koordinatorin Hoti për ndarjen e shpërblimeve, Vishaj është shprehur i lumtur që ka kontribuar për të ardhmen e fëmijëve.
Edhe nxënësit janë shprehur të lumtur me marrjen e shpërblimeve ndërsa treguan se cilat janë librat e tyre të preferuar nga setet që morën.
/Epoka e re/