Hoti: Ushtria e Kosovës do të jetë ushtri që garanton paqe
Shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se ushtria e Kosovës do të jetë ushtri që garanton dhe gjeneron paqe, që aspiron NATO-n e misionet paqeruajtëse gjithandej në botë.
Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se nëse ndonjë shteti që duhet t’i ndalohet të ketë ushtri, atëherë kjo vlen për Serbinë.
Postimi i plotë i tij:
Nëse ndonjë shteti duhet t’i ndalohet të ketë ushtri, atëherë kjo vlen për Serbinë. Ushtria e juaj, z. Vuçiq dhe znj. Bërnabiq, është e komprometuar, ngase ka ende duart e përgjakura. Eshtë ushtria e juaj ajo për të cilën dihet botërisht se ka shkaktuar spastrim etnik dhe gjenocid, ka dhunuar e vrarë gra e foshnje, në Kosovë, Bosnje e gjetiu.
Ushtria e Kosovës do të jetë ushtri që garanton dhe gjeneron paqe, që aspiron NATO-n e misionet paqeruajtëse gjithandej në botë. Do të dërtohet dhe kalitet që të ndihmojë popuj të tjerë gjithandej globit, të cilët mund të përfshihen në tragjedi të ngjashme, me ato që pësuam ne, nga falangat gjenocidale të ushtrisë serbe.
Andaj, kërkoni falje popullit të Kosovës e të Bosnjës, për tragjeditë e shkaktuara.