Hoti: Vazhdon koordinimi me ShBA-në rreth dialogut me Serbinë
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka bërë me dije se është duke vazhduar koordinimi me SHBA-në rreth dialogut me Serbinë.
Hoti e ka bërë të qartë se procesi i dialogut me Serbinë i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian është duke u zhvilluar në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Procesi i dialogut që është duke u zhvilluar në Bruksel me ndërmjetësim të BE-së është plotësisht i koordinuar me SHBA-të”, ka thënë Hoti në adresimin për medie pas vizitës në spitalin e FSK-së.
Hoti po ashtu ka bërë me dije se edhe anëtarësimi i Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare bëhet në koordinim me partnerët ndërkombëtarë dhe se sipas tij, pa mbështetjen ndërkombëtare Kosova nuk mund të anëtarësohet në asnjë organizatë.
“Çdo anëtarësim i Kosovës në organizata ndërkombëtare bëhet gjithmonë në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtar. Kjo është e vërteta. Ne jemi dakorduar që në këtë proces të rrugëtojmë bashkë sepse e dimë që po nuk e patëm këtë mbështetje nuk mund të çojmë përpara këtë agjendë të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”, ka thënë Hoti.