
Hoti: Vetëm zgjedhjet i japin frymë demokracisë
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka bërë me dije edhe një herë se kjo parti politike nuk do ta përkrah ndonjë draftrezolutë të mundshme të koalicionit qeverisës për dialogun Kosovë-Serbi.
Hoti ka shkruar në llogarinë e vet në “Facebook”, se LDK-ja për ta mbrojtur integritetin territorial të Kosovës, ka propozuar rezolutën me të cilën do t’ia vendosin vijat e kuqe dialogut Kosovë-Serbi.
Sipas tij, vetëm zgjedhjet i japin frymë demokracisë dhe institucioneve në vend.
“Ata që sot po përpiqen të kontrabandojnë veten në këtë dialog, kanë qenë penguesit kryesor të përpjekjes tonë për ta mbrojtur shtetin. Të tillët kanë dëshmuar tash e sa kohë se kurdo që ju nevojitet, e vejnë në pikëpyetje shtetësinë, pozitën ndërkombëtare dhe territorin e vendit. E kanë filluar më 22 dhjetor të vitit të kaluar, e po vazhdojnë sot e gjithë ditën. Të tillëve, jo që nuk duhet votuar rezolutën, por një orë e para duhet larguar nga pushteti. Vetëm zgjedhjet i japin frymë demokracisë dhe institucioneve në vend. Çdo vonesë e bënë edhe më të paqartë të ardhmen tonë”, ka shkruar Hoti.
/Epoka e re/