Hoti: Viti i katërt me radhë me humbje në investime kapitale

05 nëntor 2024 | 11:25

Ish-kryeministri dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar ashpër qeverinë Kurti për realizimin tepër të ulët të investimeve kapitale gjatë periudhës së parë 9-mujore të vitit 2024.

Sipas tij, vetëm 36 për qind e investimeve kapitale të parashikuara janë realizuar deri tani, duke theksuar se janë shpenzuar vetëm 325 milionë euro nga 913 milionë euro që ishin planifikuar në buxhet.

Hoti e ka quajtur këtë situatë një “dështim të plotë”, duke akuzuar ministrat për mungesë kompetence dhe dembelizëm. Ai ka theksuar gjithashtu dështimin e kryeministrit për mbikëqyrjen e punës së ministrave.

Në veçanti, Hoti ka renditur disa ministri që kanë treguar realizim jashtëzakonisht të ulët të investimeve kapitale:

Ministria e Industrisë: 4%

Ministria e Drejtësisë: 4%

Ministria e Financave: 7%

Ministria e Bujqësisë: 7%

Ministria e Arsimit: 16%

Ministria e Ekonomisë: 16%

Ministria e Shëndetësisë: 19%

Ministria e Brendshme: 20%

Ministria e Kulturës: 34%

Një nga shembujt më të rëndësishëm të dështimit, sipas Hotit është Ministria e Bujqësisë, e cila ka shpenzuar vetëm 3.8 milionë euro nga shuma e parashikuar dhe nuk ka realizuar asnjë projekt për ujitjen e tokave bujqësore.

“Ky është i katërti vit me radhë i humbur, ku investimet kapitale janë lënë pas dore dhe zhvillimi ekonomik është i bllokuar”, ka shkruar Hoti në “Facebook”, duke kërkuar përgjegjësi për këtë situatë dhe një rishikim të menjëhershëm të prioriteteve të qeverisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata e Futbollit të Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi…